Ministria e Punëve të Brendshme njofton se më 27 janar 2026, Departamenti për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe të Rëndë ka ngritur kallëzim penal kundër tre personave nga Shkupi, të dyshuar për prodhim dhe shpërndarje të paautorizuar të drogave narkotike.

Të kallëzuarit janë M.Z. (37), I.B. (61) dhe G.B. (59), ndaj të cilëve ekziston dyshimi i arsyeshëm se kanë kryer veprën penale “prodhim dhe shpërndarje e paautorizuar e drogave narkotike, substancave psikotrope dhe prekursorëve”.

Sipas MPB-së, më 26 janar 2026, M.Z. ka blerë një automjet “Opel Combo” me targa zvicerane nga një person nga Struga. Së bashku me I.B., në automjet kanë vendosur marihuanë dhe më pas kanë kontaktuar G.B. për ta tërhequr automjetin nga Struga në Shkup, për një pagesë prej 200 euro, pasi automjeti nuk ishte në gjendje të mirë teknike.

Pas mbërritjes në Shkup, M.Z. dhe I.B. i kanë kërkuar G.B.-së edhe 40 euro shtesë për të vazhduar udhëtimin drejt Shën Nikollës, duke ndjekur një automjet “Mercedes” me të cilin po udhëtonin.

Në një rrugë rajonale pranë Shën Nikollës, policia, e cila paraprakisht kishte informacione për transport të një sasie të madhe droge, ndaloi kamionin “Iveco” që po tërhiqte automjetin “Opel Combo”. Gjatë kontrollit në ulësen e pasme dhe në bagazhin e automjetit, u gjetën tetë çanta me gjithsej 50 pako marihuanë.

Nga ekspertiza e kryer në Departamentin për Ekzaminime Forenzike të MPB-së, u konstatua se sasia e sekuestruar ishte rreth 150 kilogramë marihuanë.

Hetimet për rastin vazhdojnë, ndërsa ndaj të dyshuarve do të ndërmerren veprime të mëtejshme ligjore.