Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, deklaroi sot se vendi i saj është i gatshëm të bëjë gjithçka për të arritur një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara lidhur me Grenlandën, përveç dorëzimit të ishullit.

E pyetur për mundësinë që Grenlanda t’i kalojë SHBA-ve, Frederiksen e cilësoi një skenar të tillë si të papranueshëm dhe të paimagjinueshëm. “Jo, askush nuk mund ta imagjinojë,” u shpreh ajo në një intervistë për emisionin “Maischberger” në televizionin publik gjerman ARD.

Deklarata e saj vjen pas insistimit të presidentit amerikan Donald Trump, i cili javën e kaluar tha se Shtetet e Bashkuara duhet të kenë pronësinë e ishullit të madh arktik, që është territor autonom nën sovranitetin danez. Trump përjashtoi mundësinë e marrjes së Grenlandës me forcë, duke shtuar se bisedimet e zhvilluara në Davos me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, kishin krijuar një “kornizë” për një marrëveshje të mundshme në të ardhmen.

Në këtë kontekst, Trump hoqi dorë edhe nga kërcënimet për vendosjen e tarifave ndaj vendeve evropiane që kundërshtonin planet e tij për Grenlandën.

Nga ana e saj, Frederiksen theksoi se dialogu me SHBA-të po zhvillohet në frymë diplomatike dhe se rezultati varet nga bashkëpunimi me partnerët evropianë. “Kur Evropa është e bashkuar dhe flet me një zë, ka rezultat,” u shpreh ajo, duke shtuar se ende nuk dihet se sa do të zgjasin negociatat.

Kryeministrja daneze shmangu dhënien e detajeve mbi përmbajtjen e bisedimeve, por nënvizoi qartë se ruajtja e sovranitetit danez mbi Grenlandën mbetet e panegociueshme.