Franca ka njoftuar se planifikon të zëvendësojë platformat e huaja të video-konferencave si Microsoft Teams dhe Zoom me platformën e saj kombëtare “Visio” në të gjitha institucionet qeveritare deri në vitin 2027, raporton Anadolu.

Strategjia u bë e ditur nga ministri i deleguar për shërbimin civil dhe reformën shtetërore, David Amiel, i cili theksoi se ky hap synon rritjen e sigurisë dhe konfidencialitetit të komunikimeve në sektorin publik, uljen e varësisë nga infrastruktura jo-evropiane dhe forcimin e bashkëpunimit mes ministrive.

Sipas autoriteteve franceze, kalimi drejt platformës vendore pritet të sjellë edhe kursime të konsiderueshme financiare, me vlerësime deri në 1 milion euro për çdo 100 mijë përdorues që heqin dorë nga softuerët me licencë të huaj.

“Ky projekt është një shembull konkret i angazhimit të qeverisë për të rifituar pavarësinë dixhitale. Nuk mund të rrezikojmë që të dhënat tona të ndjeshme dhe shkëmbimet strategjike të ekspozohen ndaj aktorëve jashtë Evropës”, deklaroi Amiel.

Ai shtoi se sovraniteti dixhital është një domosdoshmëri për administratën publike, një mundësi për bizneset vendase dhe një mbrojtje ndaj kërcënimeve të së ardhmes.

Platforma “Visio”, e zhvilluar me mbështetjen e Agjencisë Kombëtare të Sigurisë Kibernetike të Francës (ANSSI), u lansua si projekt pilot një vit më parë dhe aktualisht ka rreth 40 mijë përdorues aktivë, ndërsa po zgjerohet gradualisht për rreth 200 mijë punonjës të sektorit publik.