Të paktën 16 persona kanë humbur jetën dhe rreth 120 të tjerë janë lënduar si pasojë e reshjeve të dendura të borës që kanë përfshirë disa rajone të Japonisë, bëjnë të ditur autoritetet lokale.
Situata më kritike raportohet në ishullin Hokkaido, ku bora e madhe ka shkaktuar kaos në qarkullimin hekurudhor. Kompania JR Hokkaido njoftoi se rreth 1.000 udhëtime me tren janë anuluar ose kanë pësuar vonesa të konsiderueshme.
Si pasojë e këtyre ndërprerjeve, mbi 140.000 pasagjerë janë prekur drejtpërdrejt, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se vonesat kanë vazhduar edhe gjatë ditës së sotme.
Ekipet e emergjencës dhe shërbimet publike janë angazhuar në terren për të përballuar situatën dhe për të rikthyer gradualisht normalitetin në transport dhe shërbimet jetike. Ndërkohë, qytetarët janë këshilluar të shmangin udhëtimet e panevojshme dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve.

