Spitalet universitare në Gjermani janë përfshirë sot nga një valë grevash, si pjesë e raundit të fundit të veprimeve sindikale që lidhen me mosmarrëveshjet për pagat në sektorin publik.
Sipas një zëdhënësi të sindikatës Verdi, greva janë zhvilluar në gjithsej 22 spitale universitare, ndërsa protesta dhe ndërprerje pune janë raportuar edhe në disa qytete të tjera të vendit. Sindikalistët theksojnë se shërbimet emergjente dhe kujdesi mjekësor thelbësor vazhdojnë të ofrohen për qytetarët.
Në Spitalin Universitar të Jenës, në shtetin lindor të Turingisë, rreth 300 punonjës iu bashkuan një grevë njëditore. Infermierë, staf laboratorik, teknikë dhe punonjës të tjerë dolën në rrugë për të shprehur pakënaqësitë e tyre lidhur me kushtet e punës dhe pagat.
Grevat vijnë në kuadër të përshkallëzimit të konfliktit mes sindikatave dhe punëdhënësve në shtetet federale gjermane. Sindikata Verdi dhe Shoqata Gjermane e Nëpunësve Civilë kërkojnë një rritje page prej 7 përqind, ose të paktën 300 euro më shumë në muaj. Sipas sindikatave, punëdhënësit kanë refuzuar këtë kërkesë dhe nuk kanë paraqitur asnjë ofertë alternative.
Ndërkohë, Verdi ka paralajmëruar greva edhe në universitete gjatë ditës së nesërme. Punonjësit e universiteteve dhe instituteve kërkimore pritet t’i bashkohen aksionit sindikal në më shumë se 60 qytete në të gjithë Gjermaninë. Greva të tjera paralajmëruese pritet të vijojnë deri në raundin e tretë të negociatave, i cili është planifikuar të mbahet nga 11 deri më 13 shkurt.

