Bashkimi Evropian dhe NATO po përpiqen të përshtasin strategjitë e tyre të sigurisë përballë kërcënimeve në rritje, por pa mbështetjen e Shteteve të Bashkuara, hapësira e manovrimit të Evropës mbetet e kufizuar. Kështu deklaroi ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephul, gjatë një konference të përbashkët për shtyp me ministren e Jashtme suedeze, Maria Malmer Stenergard.

Pas bisedimeve bilaterale në Stokholm, Wadephul theksoi se Gjermania dhe Suedia janë “në mënyrë të veçantë të të njëjtit mendim” për çështjet themelore të sigurisë dhe ndajnë një vlerësim të ngjashëm për situatën aktuale gjeopolitike. Ai shtoi se bashkëpunimi mes dy vendeve është thelbësor në kushtet e sfidave aktuale.

Edhe ministrja suedeze Stenergard vlerësoi bashkëpunimin me Gjermaninë, duke e cilësuar atë si më të rëndësishëm se kurrë. Megjithatë, ajo paralajmëroi se Bashkimi Evropian dhe NATO duhet të përgatiten për një përballje afatgjatë me Rusinë, duke theksuar nevojën për vigjilencë dhe koordinim të vazhdueshëm.

Në këtë kontekst, Wadephul bëri të ditur se qeveria federale gjermane është e hapur për diskutime me Francën lidhur me mbrojtjen bërthamore, por vuri në dukje se zbatimi konkret i masave të tilla do të kërkojë kohë dhe planifikim afatgjatë.

Nga ana tjetër, ministrja e Jashtme suedeze u shpreh në mbështetje të hapjes së një debati brenda NATO-s mbi të ardhmen e frikësimit bërthamor. Suedia iu bashkua NATO-s dy vjet më parë, pas nisjes së luftës së Rusisë kundër Ukrainës.

Ndërkohë, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, përjashtoi mundësinë që Europa të jetë në gjendje të mbrojë veten pa Shtetet e Bashkuara në të ardhmen e afërt. Ai theksoi se nëse vendet evropiane synojnë të veprojnë më të pavarura në fushën e sigurisë, shpenzimet e mbrojtjes duhet të rriten ndjeshëm, deri në 10 për qind të prodhimit të brendshëm bruto.

Më herët, ministri i Jashtëm gjerman kishte zhvilluar bisedime edhe në Lituani, në kuadër të konsultimeve rajonale për sigurinë evropiane.