Bashkimi Evropian dhe India kanë njoftuar arritjen e një marrëveshjeje historike tregtare, pas gati dy dekadash negociatash të ndërprera herë pas here. Marrëveshja synon të thellojë lidhjet ekonomike dhe strategjike mes dy palëve, në një kohë tensionesh në rritje me Shtetet e Bashkuara.
“Evropa dhe India po bëjnë histori sot”, shkroi në platformën X presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, duke përshëndetur marrëveshjen.
Von der Leyen, së bashku me presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa, ndodhet në Nju Delhi, ku u takua me kryeministrin indian Narendra Modi në kuadër të një samiti dypalësh BE–Indi. Takimi u fokusua në forcimin e bashkëpunimit tregtar, investimeve dhe partneritetit strategjik.
Si Bashkimi Evropian ashtu edhe India po kërkojnë të diversifikojnë partnerët e tyre ekonomikë dhe të forcojnë lidhjet globale, teksa përballen me presion ekonomik dhe gjeopolitik nga SHBA-ja. India aktualisht po përballet me tarifa deri në 50 për qind të vendosura nga presidenti amerikan Donald Trump vitin e kaluar, ndërsa bisedimet për një marrëveshje tregtare Indi–SHBA vazhdojnë të ecin me vështirësi.
Ndërkohë, javën e kaluar Trump kërcënoi se do të përshkallëzonte luftën tregtare me aleatët evropianë për shkak të kundërshtimit të tyre ndaj një marrjeje të Grenlandës nën kontroll amerikan, para se të tërhiqej nga ky qëndrim.
Sipas detajeve paraprake, marrëveshja Indi–BE do të zgjerojë qasjen e eksporteve indiane në tregun evropian, ndërsa do të lehtësojë hyrjen e investimeve dhe mallrave evropiane – përfshirë veturat dhe pijet – në ekonominë indiane, e cila është e treta më e madhe në Azi.

