Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se bisedimet e zhvilluara në Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) mbi përfundimin e luftës në Ukrainë kanë trajtuar çështje të rëndësishme, por se temat komplekse politike mbeten ende të pazgjidhura. Ai njoftoi se së shpejti priten takime të reja trepalëshe.
“Ky ishte formati i parë i dialogut trepalësh për përfundimin e luftës pas një kohe të gjatë. Takimet mbuluan një numër çështjesh të rëndësishme, kryesisht ushtarake, të nevojshme për përfundimin e luftës. U analizuan qëndrimet kryesore të të gjitha palëve dhe unë vendosa një kornizë për punë të mëtejshme diplomatike”, ka shkruar Zelensky në platformën X.
Ai konfirmoi se gjatë takimeve janë diskutuar edhe çështje komplekse politike, të cilat aktualisht mbeten pa zgjidhje, ndërsa bëri të ditur se përgatitjet për takime të reja trepalëshe janë duke u zhvilluar dhe pritet të mbahen këtë javë.
Ndërkohë, Presidenti ukrainas ka alarmuar edhe për situatën e rëndë energjetike në vend, veçanërisht në kryeqytet. Sipas tij, më shumë se 1.200 ndërtesa banimi në Kiev kanë mbetur pa ngrohje, kryesisht në zonat e bregut të majtë të lumit Dnieper.
“Në Kiev rrethanat janë jashtëzakonisht të vështira. Një numër i madh qytetarësh janë ende pa ngrohje dhe kanë nevojë urgjente për mbështetje”, ka deklaruar Zelensky në kanalin e tij në Telegram, raporton Ukrinform.
Ai bëri të ditur se situata më e vështirë energjetike po regjistrohet në Kievin dhe rajonin përreth, Kharkivin, Chernihivin, Sumyn, Dnipron dhe Zaporizhian. Zelensky theksoi se afatet e diskutuara deri tani për zgjidhjen e problemit nuk janë të kënaqshme dhe se autoritetet duhet të veprojnë më shpejt.
Presidenti ukrainas ka udhëzuar kryeministrin Denys Shmyhal dhe ministrin e Financave Serhiy Marchenko që të shqyrtojnë mundësitë për sigurimin urgjent të furnizimeve alternative me energji elektrike dhe ngrohje, veçanërisht për Kievin.
Sipas Zelenskyt, Shmyhal është në komunikim të vazhdueshëm me partnerët ndërkombëtarë dhe, në bashkëpunim me autoritetet lokale, po përgatit një listë të ndihmës shtesë që Ukraina mund të sigurojë në ditët dhe javët në vijim.

