Një stuhi e fuqishme dimërore ka goditur pjesë të mëdha të Shteteve të Bashkuara, duke shkaktuar probleme të mëdha në furnizimin me energji elektrike dhe transportin ajror. Sipas të dhënave zyrtare, rreth 217 mijë konsumatorë kanë mbetur pa rrymë, ndërsa janë anuluar mbi 4 mijë fluturime në të gjithë vendin.
Stuhia shoqërohet me reshje të dendura bore, shi të ngrirë dhe temperatura ekstremisht të ulëta, dhe pritet të prekë rreth dy të tretat lindore të SHBA-së, duke vazhduar edhe në ditët në vijim. Shtetet më të goditura janë Luiziana, Misisipi, Teksasi dhe Tenesi.
Presidenti amerikan Donald Trump e cilësoi situatën si “historike” dhe miratoi shpalljen e gjendjes së emergjencës federale për 12 shtete, ndërsa gjithsej 17 shtete dhe Distrikti i Kolumbias kanë shpallur emergjencë për shkak të kushteve ekstreme të motit.
Situatë e rëndë raportohet edhe në Nju Jork, ku temperaturat pritet të mbeten nën zero gjatë gjithë ditës. Në Central Park, parashikohet rënie e borës deri në 30 centimetra. Kryebashkiaku Zohran Mamdani ka bërë thirrje qytetarëve të shmangin udhëtimet jo të domosdoshme, ndërsa vendimi për mbylljen e shkollave dhe zhvillimin e mësimit online do të merret më vonë gjatë ditës.
Shërbimi Kombëtar i Motit paralajmëroi se stuhia mund të ketë pasoja shkatërruese dhe potencialisht katastrofike, veçanërisht në juglindje, për shkak të akullit të dendur dhe të ftohtit rekord. Autoritetet bëjnë thirrje që qytetarët të qëndrojnë në shtëpi dhe të marrin masa mbrojtëse.
Sipas meteorologëve, stuhia është shkaktuar nga masa ajri shumë të ftohta që vijnë nga Kanadaja, duke e bërë këtë një prej valëve më të forta dimërore të regjistruara këtë sezon.

