Policia e Strugës ka ngritur kallëzim penal kundër katër banorëve të Shkupit, të moshës 18 deri në 35 vjeç, të dyshuar për rrëmbimin me dhunë të një vajze 23-vjeçare.

Sipas njoftimit nga Drejtoria Rajonale e Policisë së Strugës, kallëzimi penal është ngritur kundër A.A. (25), D.K. (35), R.K. (18) dhe R.K. (21), të gjithë nga Shkupi, për shkak të dyshimeve të bazuara për kryerjen e veprave penale “Rrëmbim” dhe “Bashkëpunim në rrëmbim”.

Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Marshall Tito” në Strugë. Hetimet paraprake tregojnë se i dyshuari A.A. fillimisht e ka ndjekur vajzën për një periudhë kohore, ndërsa më pas, me ndihmën e tre personave të tjerë, e ka futur me forcë në një automjet pasagjerësh.

Policia po ndërmerr masa të mëtejshme procedurale për zbardhjen e plotë të rastit, ndërsa të dyshuarit do të dalin përpara organeve kompetente të drejtësisë.