Kryeministri australian, Anthony Albanese, i ka cilësuar si “krejtësisht të papranueshme” komentet e presidentit amerikan Donald Trump, të cilat minimizonin rolin e trupave jo-amerikane gjatë misionit në Afganistan.

Trump deklaroi në një intervistë për Fox News se NATO kishte dërguar vetëm “disa trupa” në Afganistan, të cilët sipas tij “qëndruan pak prapa, larg vijave të frontit”. Këto deklarata shkaktuan reagime të forta nga aleatët evropianë dhe australianë.

Duke folur të dielën në emisionin Insiders të ABC, Albanese tha se komentet e Trump do të lëndonin familjet e 47 ushtarëve australianë që humbën jetën gjatë shërbimit në Afganistan.

“Ato 47 familje australiane që do të lëndohen nga këto komente, meritojnë respektin dhe admirimin tonë absolut”, u shpreh kryeministri australian.

Ai theksoi se rreth 40 mijë australianë shërbyen në Afganistan dhe ishin në vijën e parë të frontit përkrah aleatëve, duke mbrojtur demokracinë, lirinë dhe interesat kombëtare të Australisë.

Një ditë më vonë, pas kritikave të ashpra, përfshirë edhe ato nga kryeministri britanik Keir Starmer, Trump duket se zbuti qëndrimin e tij, të paktën në lidhje me trupat britanike. Në platformën Truth Social, ai vlerësoi guximin e ushtarëve britanikë dhe sakrificën e tyre në Afganistan.

Albanese iu referua më pas edhe këtyre komenteve të reja, duke thënë se Trump kishte pranuar kontributin e aleatëve, përfshirë Australinë, por nënvizoi se deklaratat e mëparshme mbeten “plotësisht të papranueshme”.