Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, deklaroi të premten se çështja e territorit do të jetë tema kyçe e bisedimeve trepalëshe ndërmjet Ukrainës, Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara, të ndërmjetësuara nga SHBA-ja, që do të mbahen në Abu Dhabi të Emirateve të Bashkuara Arabe, gjatë së premtes dhe së shtunës.
Ukraina po përballet me presion në rritje nga Uashingtoni për të arritur një marrëveshje paqeje në luftën gati katërvjeçare me Rusinë. Moska zyrtare ka kërkuar që Kievi të heqë dorë nga i gjithë rajoni lindor i Donbasit, raporton Reuters.
Në një bisedë me mediat përmes WhatsApp-it, një ditë pas takimit me presidentin amerikan Donald Trump — të cilin të dy palët e përshkruan si pozitiv — Zelensky theksoi se territori do të jetë prioritet absolut në këto bisedime.
“Çështja e Donbasit është thelbësore. Do të diskutohet se si të tri palët e shohin këtë çështje në Abu Dhabi sot dhe nesër”, u shpreh presidenti ukrainas.
Kërkesa e presidentit rus Vladimir Putin që Ukraina të dorëzojë rreth 20 për qind të territorit që ende kontrollon në rajonin lindor të Donetskut mbetet një nga pengesat kryesore për arritjen e një marrëveshjeje paqeje.
Zelensky ka refuzuar kategorikisht të dorëzojë territore që Rusia nuk ka arritur t’i pushtojë gjatë katër viteve të luftës.
Ai gjithashtu bëri të ditur se marrëveshja për garancitë e sigurisë nga SHBA-ja për Ukrainën është gati dhe se po pret vetëm që presidenti Trump të caktojë datën dhe vendin për nënshkrimin e saj.
Ukraina ka kërkuar garanci të forta sigurie nga aleatët në rast të një marrëveshjeje paqeje, për të parandaluar një pushtim të ri nga Rusia, e cila sipas Kievit ka treguar pak interes për t’i dhënë fund konfliktit.
Sa i përket aseteve ruse të ngrira nga Perëndimi, Zelensky e quajti “të pakuptimtë” propozimin që këto fonde të përdoren për rindërtimin e territoreve ruse.
Rusia kishte sugjeruar më herët që paratë të përdoren për rindërtimin e zonave të Ukrainës që aktualisht janë nën pushtimin rus, propozim që Zelensky e kundërshtoi fuqishëm.
“Paratë ruse të ngrira duhet të përdoren vetëm për Ukrainën dhe për rindërtimin e dëmeve të shkaktuara nga lufta”, theksoi ai, duke shtuar se Kievi do të luftojë për përdorimin e plotë të këtyre aseteve.

