Ristartimi i centralës më të madhe bërthamore në botë është ndërprerë vetëm një ditë pasi ajo u vu sërish në funksion, pas një pauze gati 14-vjeçare. Operatori i centralës, kompania japoneze Tokyo Electric Power Company (TEPCO), njoftoi se ende nuk dihet se kur do të zgjidhet problemi teknik që çoi në ndalimin e procesit.
Centrala Kashiwazaki-Kariwa, e cila ishte jashtë funksionit që nga katastrofa bërthamore në Fukushimë në vitin 2011, kishte nisur procesin e ristartimit dy ditë më parë, pasi mori miratimin përfundimtar nga rregullatori bërthamor japonez.
Sipas njoftimit të TEPCO-s, gjatë procedurave të ndezjes së reaktorit është aktivizuar një alarm nga sistemi i monitorimit, çka detyroi ndërprerjen e menjëhershme të operacioneve.
“Ne nuk presim që problemi të zgjidhet brenda një ose dy ditësh. Për momentin nuk kemi informacion se sa kohë do të zgjasë. Fokusi ynë kryesor është identifikimi i shkakut të incidentit”, deklaroi menaxheri i centralës, Takejuki Inagaki, në një konferencë për shtyp.
Ndërkohë, zëdhënësi i kompanisë, Takashi Kobayashi, i tha agjencisë AFP se, duke qenë se u vlerësua se zgjidhja do të kërkonte kohë, u vendos që kontrolloret bërthamore të riktheheshin sipas procedurave të planifikuara. Ai theksoi se reaktori është stabil dhe se nuk ka asnjë ndikim radioaktiv në mjedisin përreth.
Shufrat e kontrollit janë pajisje kyçe që përdoren për të menaxhuar reaksionin zinxhir bërthamor në bërthamën e reaktorit. Nxjerrja e tyre e përshpejton reaksionin, ndërsa futja e tyre e ngadalëson ose e ndalon plotësisht.
Kashiwazaki-Kariwa konsiderohet centrala më e madhe bërthamore në botë për nga kapaciteti potencial, megjithëse aktualisht vetëm një nga shtatë reaktorët e saj ka qenë në proces ristartimi.
Centrala u mbyll në vitin 2011, pasi Japonia hoqi dorë përkohësisht nga energjia bërthamore pas tërmetit të fuqishëm dhe cunamit që shkaktuan shkrirjen e tre reaktorëve në centralen e Fukushimës.
Ristartimi i saj ka nxitur reagime të forta nga banorët lokalë. Sipas një ankete të zhvilluar në shtator të vitit të kaluar, rreth 60% e qytetarëve janë kundër rikthimit në funksion të centralës, ndërsa 37% e mbështesin atë.

