Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, ka kritikuar ashpër iniciativën “Bordi i Paqes” të presidentit amerikan Donald Trump, duke theksuar se shumica e vendeve evropiane nuk mund t’i bashkohen kësaj nisme pasi ajo tejkalon mandatin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Në një intervistë për emisionin e mëngjesit Europe Today të Euronews, Mitsotakis tha se ekziston një konsensus i gjerë në Evropë se iniciativa e shpallur nga Trump shkon përtej kornizës ligjore të OKB-së.

Konsensusi është se ajo që është njoftuar nga Donald Trump shkon shumë përtej mandatit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, deklaroi Mitsotakis, një ditë pas pjesëmarrjes së tij në një takim urgjent të Këshillit, të fokusuar në marrëdhëniet transatlantike.

Ai shtoi se shumica e vendeve evropiane nuk mund të bashkohen me këtë iniciativë, duke nënvizuar se zbatimi i saj në formën aktuale nuk është i pranueshëm për Evropën.

Komentet e kryeministrit grek vijnë pas prezantimit zyrtar të Bordit të Paqes në Forumin Ekonomik Botëror në Davos. Nisma, e cila buron nga plani 20-pikësh i Trumpit për një armëpushim në Gazë, i miratuar nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, është zgjeruar më pas në një projekt global për zgjidhjen e konflikteve botërore.

Iniciativa është kritikuar gjerësisht për krijimin e një strukture paralele me OKB-në, për dhënien e kompetencave të gjera presidentit amerikan dhe për përfshirjen e Rusisë. Shumë vende evropiane, përfshirë Norvegjinë, Suedinë dhe Francën, kanë refuzuar pjesëmarrjen, ndërsa vende si Italia kanë deklaruar se nuk do t’i bashkohen për momentin. Hungaria dhe Bullgaria ishin të vetmet shtete evropiane që morën pjesë në ceremoninë e nënshkrimit.

Mitsotakis theksoi se Shtetet e Bashkuara duhet të kenë rol në rindërtimin e Gazës, por shtoi se çdo plan duhet të jetë “vetëm për Gazën” dhe “vetëm për një periudhë të kufizuar kohore”.

Ai foli gjithashtu për tensionet e fundit me SHBA-në lidhur me Grenlandën, duke shprehur lehtësim pasi Trump u tërhoq nga kërcënimi për pushtimin e territorit arktik dhe zgjodhi një marrëveshje afatgjatë për sigurinë e Arktikut, të ndërmjetësuar nga sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte.

“Marrëdhënia transatlantike po bëhet më komplekse dhe duhet menaxhuar ndryshe,” tha Mitsotakis, duke shtuar se Bashkimi Evropian duhet të mbrojë interesat e veta.