Gjermania ka deklaruar se tensionet me Shtetet e Bashkuara lidhur me Grenlandën janë lehtësuar, pasi Evropa mbajti një qëndrim të bashkuar dhe nuk iu nënshtrua presionit të presidentit amerikan, Donald Trump.

Zëvendëskancelari gjerman dhe njëherësh ministër i Financave, Lars Klingbeil, tha se presioni i kombinuar nga Evropa dhe reagimet brenda vetë SHBA-së kanë ndikuar që Trump të zbusë qëndrimin e tij.

“Presioni që u ngrit në SHBA dhe presioni që erdhi nga Evropa e kanë bërë presidentin Trump të fillojë të tërhiqet pak”, u shpreh Klingbeil në një podcast të revistës së lajmeve Politico.

Megjithatë, ai paralajmëroi kundër një lehtësimi të nxituar të situatës, duke theksuar se rreziku ende mbetet real.

“Kushdo në Evropë që mendon se tani gjithçka ka shkuar mirë, nuk e ka kuptuar se çfarë është në lojë”, shtoi ai.

Duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së marrëdhënieve tradicionale transatlantike, Klingbeil u bëri thirrje vendeve evropiane të ndjekin një qasje të dyfishtë ndaj Uashingtonit.

“Nga njëra anë, duhet të mbajmë gjithmonë dorën e shtrirë drejt SHBA-së dhe të mos rrezikojmë marrëdhëniet transatlantike. Nga ana tjetër, duhet të mbrojmë interesat tona”, tha ai.

Ndërkohë, kancelari gjerman Friedrich Merz vlerësoi unitetin evropian si faktor kyç që ka ndikuar në zbutjen e qëndrimit të Trumpit ndaj Grenlandës.

Ai theksoi se reagimi i koordinuar i Bashkimit Evropian ka treguar se solidariteti mes vendeve anëtare mund të ndikojë drejtpërdrejt në politikën amerikane.

“Është bërë e qartë se uniteti dhe vendosmëria nga ana evropiane mund të bëjnë vërtet një ndryshim”, deklaroi Merz për gazetarët në Bruksel, përpara një samiti urgjent të BE-së që synon adresimin e tensioneve rreth Grenlandës dhe kërcënimeve tarifore nga SHBA-ja.