Presidenti amerikan Donald Trump në Davos prezantoi “Bordin e Paqes”, një organ ndërkombëtar i cili synon të udhëheqë përpjekjet për mbajtjen e armëpushimit në Rripin e Gazës. Gjatë fjalës së tij, Trump theksoi se shumë vende duan të jenë pjesë e këtij bordi, pavarësisht se disa aleatë të SHBA-së kanë zgjedhur të mos marrin pjesë.
Trump gjithashtu diskutoi mundësinë që Bordi i Paqes të zëvendësojë disa funksione të OKB-së dhe ndoshta një ditë të marrë përgjegjësi më të gjera për konfliktet ndërkombëtare. Ai njoftoi se tashmë 59 vende janë bërë pjesë e bordit.
Me këtë iniciativë, presidenti amerikan ktheu vëmendjen tek situata në Rripin e Gazës, e cila ishte lënë paksa në hije gjatë javës për shkak të diskutimeve të tij për Grenlandën dhe ndryshimeve dramatike në planet e tij fillestare.
“Kemi shumë të tjerë që duan të jenë anëtarë të Bordit të Paqes sepse do të jetë me të vërtetë e rëndësishme. Kjo nuk do të jetë humbje kohe. Ne humbasim kaq shumë kohë me gjëra që nuk ndodhin kurrë. Kjo do të ndodhë. Dhe tashmë po ndodh. Faleminderit shumë të gjithëve”, deklaroi Trump.

