Një 57-vjeçar nga Shkupi është arrestuar mbrëmjen e djeshme në një lokal në kryeqytet, nën dyshimin për veprën penale zhvatje, njofton MPB, përcjell TV21.

Sipas njoftimit zyrtar, arrestimi është kryer më 21.01.2026 rreth orës 20:00, në zonën e Kisella Vodës, nga zyrtarë policorë të Njësisë kundër Krimit të Dhunshëm pranë SPB-Shkup.

I dyshuari, T.S. (57) nga fshati Idrizovë, Shkup, u kap në flagrancë pasi kishte pranuar një shumë prej 200 eurosh të përpunuara nga Policia.

“Sipas kallëzimit, i dyshuari më herët kishte kërcënuar një 26-vjeçar nga Shkupi, ish-partner i vajzës së tij, duke i kërkuar kthimin e një shume parash që, sipas tij, ia kishte dhënë për qira, riparime të automjetit dhe shpenzime të tjera, gjatë kohës që të tre kishin jetuar së bashku në një apartament me qira në lagjen Karposh”, thuhet në njoftimin e MPB-së.

Pas arrestimit, i dyshuari është ndaluar në stacion policor, ndërsa ndaj tij do të ngrihet kallëzim penal përkatës.