Aeroplani presidencial amerikan Air Force One ka mbërritur të mërkurën në mesditë në aeroportin e Cyrihut, Zvicër, duke shënuar nisjen e vizitës së Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, në kuadër të Forumit Ekonomik Botëror që po mbahet në Davos.

Sipas agjendës zyrtare, Trump pritet të marrë pjesë në forum me një fjalim para liderëve botërorë, ndërsa paraprakisht do të zhvillojë takime me drejtues të kompanive dhe liderë të biznesit ndërkombëtar.

Pas fjalimit të tij në Davos, Presidenti amerikan do të zhvillojë edhe një sërë takimesh dypalëshe me liderë të ndryshëm politikë. Burime diplomatike bëjnë të ditur se një nga temat kryesore të diskutimeve do të jetë çështja e Grenlandës, e cila ka rikthyer vëmendjen në arenën ndërkombëtare.

Forumi Ekonomik Botëror në Davos mbledh çdo vit krerë shtetesh, politikanë, përfaqësues të biznesit dhe ekspertë nga e gjithë bota për të diskutuar zhvillimet ekonomike dhe politike globale.