Përfaqësuesi special i Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, për misionet paqeruajtëse, Steve Witkoff, ka deklaruar se marrëveshja e paqes për t’i dhënë fund luftës mes Rusisë dhe Ukrainës është “90 përqind e përfunduar”.
Witkoff i bëri këto komente gjatë një interviste për Bloomberg dhe CNBC, në kuadër të Forumit Ekonomik Botëror që po mbahet në Davos. Ai theksoi se pajtohet me vlerësimin e autoriteteve ukrainase se marrëveshja ndodhet në fazën përfundimtare.
Sipas tij, në ditët e fundit është shënuar përparim i mëtejmë në negociata, duke rritur shpresat për një zgjidhje diplomatike të konfliktit që ka shkaktuar pasoja të mëdha humanitare dhe gjeopolitike.
“Mendoj se kemi bërë përparim edhe më domethënës kohët e fundit”, u shpreh Witkoff, cituar nga Ukrainska Pravda.
Deklarata e tij vjen në një moment kur komuniteti ndërkombëtar po shton përpjekjet për t’i dhënë fund luftës që ka nisur që nga viti 2022.

