Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit në magjistralen Deve Bair – Kriva Pallankë, ku si pasojë ka humbur jetën shoferi i një kamioni, shtetas i Kosovës.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, ngjarja është regjistruar më 21 janar 2026, rreth orës 04:50, në zonën e fshatit Uzem, në rrethinën e Kriva Pallankës. Kamioni i tipit “Scania”, me targa të Kosovës dhe i drejtuar nga N.H. (56) nga Kosova, ka dalë nga rruga dhe ka rënë në greminë.
Si pasojë e plagëve të marra, shoferi ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes. Vdekja është konstatuar nga mjeku i Ndihmës Urgjente Mjekësore.
Nga MPB bëjnë të ditur se është kryer këqyrja e vendit të aksidentit, ndërsa me urdhër të prokurorit publik, trupi i pajetë i viktimës është dërguar për autopsi. Hetimet për shkaqet e aksidentit po vazhdojnë.

