Prokuroria Themelore Publike e Manastirit ka nisur procedurë hetimore ndaj një 28-vjeçari, i dyshuar për tentativë vrasjeje gjatë ushtrimit të dhunës në familje ndaj gjyshes së tij, me të cilën jetonte në të njëjtën shtëpi, raporton TV21.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur më 17 janar në rrugën “Lavçanska Koria” në Manastir. Sipas njoftimit të Prokurorisë, i dyshuari fillimisht ka bllokuar derën hyrëse të shtëpisë dhe më pas ka ushtruar dhunë brutale fizike ndaj viktimës, duke e goditur me grushte në kokë dhe në pjesë të ndryshme të trupit deri sa ajo ka humbur ndjenjat.

Si pasojë e sulmit, gruaja ka pësuar lëndime të rënda trupore, përfshirë gjakderdhje dhe shtypje të trurit, thyerje të disa brinjëve si dhe nxjerrje nga vendi të eshtrave, duke i rrezikuar seriozisht jetën. Pas kryerjes së veprës, i dyshuari është larguar nga vendi i ngjarjes, por është arrestuar në një kohë të shkurtër nga organet e rendit.

Prokurori publik i ka paraqitur gjyqtarit të procedurës paraprake në Gjykatën Themelore të Manastirit kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit, për shkak të rrezikut të arratisjes, mundësisë së ndikimit mbi dëshmitarët si dhe rrezikut të kryerjes së veprave të tjera penale.

Gjithashtu, për shkak të dyshimeve mbi gjendjen psikike të të dyshuarit, është propozuar që ai të dërgohet për vëzhgim dhe ekspertizë psikiatrike në Spitalin Psikiatrik të Demir Hisarit, për një periudhë minimale prej një muaji.