Çmimet e arit dhe argjendit kanë arritur nivele rekord të hënën, ndërsa shumica e bursave botërore kanë shënuar rënie, pas rritjes së frikës për një luftë tregtare mes Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.

Tensionet janë rindezur pasi presidenti amerikan Donald Trump kërcënoi disa vende evropiane me vendosjen e tarifave doganore, për shkak të kundërshtimit të tyre ndaj planit të Washingtonit për blerjen e Grenlandës.

Trump ka nxitur tensione të reja gjeopolitike këtë muaj, duke insistuar se SHBA-ja duhet të marrë kontrollin mbi ishullin autonom danez, duke e arsyetuar këtë me nevoja të sigurisë kombëtare.

Sipas mediave ndërkombëtare, bisedimet diplomatike nuk kanë arritur ta zgjidhin atë që është cilësuar si një “mosmarrëveshje themelore” rreth Grenlandës. Si pasojë, presidenti amerikan njoftoi të shtunën se do të vendosë tarifa të reja tregtare ndaj tetë vendeve, të cilat kanë refuzuar planin e tij.

Pas këtyre zhvillimeve, investitorët janë orientuar drejt metaleve të çmuara si strehë e sigurt, duke çuar çmimet e arit dhe argjendit në nivelet më të larta historike, ndërsa tregjet e aksioneve kanë reaguar negativisht.