Rusia ka shprehur mbështetje për Danimarkën lidhur me statusin e Grenlandës, duke deklaruar se e konsideron ishullin territor danez. Kremlini theksoi se situata e sigurisë rreth Grenlandës është “e jashtëzakonshme” nga këndvështrimi i së drejtës ndërkombëtare, raportoi agjencia Reuters.
Sipas raportimit, Moska ka deklaruar më herët gjatë kësaj jave se është e papranueshme që vendet perëndimore të vazhdojnë të pretendojnë se Rusia dhe Kina përbëjnë kërcënim për Grenlandën.
Autoritetet ruse shtuan se kriza rreth këtij territori nxjerr në pah, sipas tyre, standardet e dyfishta të fuqive perëndimore, të cilat shpesh paraqiten si moralisht superiore në çështjet ndërkombëtare.
Ndërkohë, më herët gjatë ditës, Kirill Dmitriev, i dërguari special i presidentit Vladimir Putin për investime dhe bashkëpunim ekonomik, bëri shaka duke sugjeruar se Grenlanda mund të bëhet shteti i 51-të i Shteteve të Bashkuara, një deklaratë që ka tërhequr vëmendje në media.
Grenlanda, për shkak të pozitës së saj strategjike dhe burimeve natyrore, vazhdon të jetë në qendër të interesave gjeopolitike globale.

