Në prag të nisjes së gjysmëvjetorit të dytë shkollor, mjekët paralajmërojnë për një rritje të ndjeshme të rasteve të gripit te fëmijët. Gjatë dy javëve të fundit, numri i të infektuarve është dyfishuar, ndërsa përhapja më e madhe vërehet te fëmijët mbi 5 vjeç. Fëmijët nën dy vjeç janë më të rrezikuar nga komplikimet e gripit.
Mjekët theksojnë se përdorimi i antibiotikëve është i gabuar dhe i rrezikshëm, pasi ata nuk veprojnë ndaj viruseve dhe përdorimi i panevojshëm mund të dobësojë imunitetin dhe të dëmtojë organizmin e fëmijës.
Këshilla për prindërit:
- Fëmijët me simptoma të gripit të mos dërgohen në shkollë.
- Siguroni ushqim të pasur me vitamina dhe hidratim të mjaftueshëm.
- Ruani higjienën personale dhe shmangni ambiente të mbipopulluara si qendrat tregtare dhe këndet e lojërave.
- Bëni ajrosje të rregullt të ambienteve, si në shtëpi ashtu edhe në shkollë.
Mjekët kujtojnë se trupi i fëmijës ka nevojë të përballet fillimisht me infeksionin viral dhe se antibiotikët duhet përdorur vetëm pas vlerësimit të mjekut dhe testeve për infeksion bakterial.

