Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë përfunduar shitjen e parë të naftës venezueliane, me një vlerë prej rreth 500 milionë dollarësh (429 milionë euro), ka bërë të ditur një zyrtar i administratës së presidentit amerikan Donald Trump.

Megjithëse detajet e transaksionit nuk janë zbuluar, zyrtari theksoi se më shumë shitje priten në ditët dhe javët në vijim, raporton CBS News. Sipas Shtëpisë së Bardhë, kjo lëvizje është pjesë e një strategjie më të gjerë për të shitur miliona fuçi naftë venezueliane të sanksionuar, duke kontrolluar njëkohësisht të ardhurat që gjenerohen.

Plani i administratës amerikane parashikon përfshirjen e kompanive amerikane të naftës, të cilat do të investojnë në ringjalljen e infrastrukturës së naftës në Venezuelë. Të ardhurat nga shitjet pritet të ndahen mes popullit venezuelian, kompanive amerikane dhe qeverisë së SHBA-së, sipas vlerësimit të autoriteteve federale.

Presidenti Trump ka deklaruar më herët se SHBA-ja synon të shesë 30 deri në 50 milionë fuçi naftë venezueliane, në partneritet me kompani amerikane të sektorit energjetik.

Javën e kaluar, Trump zhvilloi një takim në Shtëpinë e Bardhë me drejtuesit më të lartë të kompanive amerikane të naftës, ku u diskutuan shqetësimet e tyre dhe mundësitë për investime në Venezuelë. Gjatë këtij takimi, drejtori ekzekutiv i ExxonMobil, Darren Woods, theksoi se asetet e kompanisë ishin sekuestruar gjatë dy valëve të mëparshme të shtetëzimit në Venezuelë.

Ai paralajmëroi se një rikthim i tretë në tregun venezuelian do të kërkonte “ndryshime mjaft domethënëse” krahasuar me praktikat e së kaluarës dhe situatën aktuale në vend.