Një avion me ushtarë danezë zbriti vonë në mbrëmjen e së mërkurës në Nuuk, kryeqytetin e Grenlandës, duke shënuar një hap të ri në rritjen e pranisë ushtarake daneze në ishullin arktik.
Dërgimi i trupave vjen në përputhje me deklaratat e mëhershme të autoriteteve të Danimarkës dhe Grenlandës, të cilat kanë paralajmëruar forcimin e sigurisë, pas deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump, i cili ka sugjeruar se SHBA-ja mund të përdorë edhe ushtrinë për të marrë kontrollin e ishullit.
Trump e ka cilësuar Grenlandën si strategjikisht jetike për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara, duke theksuar se ishulli nuk duhet të bjerë nën ndikimin e Rusisë dhe Kinës.
Sipas autoriteteve daneze, ushtarët e dërguar do të marrin pjesë në stërvitje të planifikuara ushtarake, por koha e uljes së avionit ka ngritur vëmendje, pasi ndodhi vetëm disa orë pas përfundimit pa rezultat të një takimi në Shtëpinë e Bardhë.
Kryediplomatët e Danimarkës dhe Grenlandës, pjesë e një delegacioni të përbashkët, zhvilluan bisedime me zëvendëspresidentin amerikan dhe sekretarin e shtetit, por palët nuk arritën dakordësi.
Në një konferencë për shtyp, ata deklaruan se ekzistojnë mosmarrëveshje thelbësore me palën amerikane, duke theksuar se dorëzimi i Grenlandës është i papranueshëm.
“Nuk arritëm të ndryshojmë qëndrimin amerikan. Është e qartë se presidenti synon të pushtojë Grenlandën,” deklaroi ministri i Jashtëm i Danimarkës, Lars Løkke Rasmussen.
Ndërkohë, disa vende evropiane anëtare të NATO-s, përfshirë Francën dhe Gjermaninë, kanë shprehur gatishmëri për të dërguar trupa në Grenlandë, në mbështetje të Danimarkës, duke rritur më tej tensionet gjeopolitike rreth ishullit arktik.

