Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të kryeministrit të Greenlandit, Jens-Frederik Nielsen, duke shprehur hapur mospajtimin e tij dhe duke minimizuar rolin e liderit grenlandez.
Deklarata e Nielsenit erdhi pas një konference të përbashkët për shtyp në Kopenhagë me kryeministren e Danimarkës, Mette Frederiksen, ku ai theksoi se Greenlandi, në rast se duhet të zgjedhë mes SHBA-së dhe Danimarkës, do të qëndrojë gjithmonë me Danimarkën.
“Tani po përballemi me një krizë gjeopolitike dhe, nëse duhet të zgjedhim midis Shteteve të Bashkuara dhe Danimarkës këtu dhe tani, atëherë zgjedhim Danimarkën. Zgjedhim Greenlandin siç e njohim sot, pjesë të Mbretërisë së Danimarkës”, deklaroi Nielsen.
Këto komente nuk u pritën mirë nga presidenti amerikan, i cili reagoi duke thënë se nuk është dakord me qëndrimin e kryeministrit grenlandez dhe se nuk ka njohuri për të, por paralajmëroi se kjo çështje mund të kthehet në një problem serioz për të.
Ndërkohë, ishulli arktik me rreth 57 mijë banorë ka qenë prej kohësh në qendër të debateve për pavarësinë nga Danimarka. Megjithatë, sondazhet e opinionit tregojnë se shumica e qytetarëve të Greenlandit janë kundër bashkimit me Shtetet e Bashkuara.
Ky qëndrim u reflektua edhe në zgjedhjet e marsit të vitit të kaluar, kur rreth tre të katërtat e votuesve mbështetën partitë politike që favorizojnë një proces të ngadaltë dhe të kujdesshëm drejt pavarësisë.
Në këtë kontekst tensioni, ministrat e jashtëm të Greenlandit dhe Danimarkës pritet të takohen të mërkurën, më 14 janar, në Uashington me zëvendëspresidentin amerikan JD Vance dhe Sekretarin e Shtetit Marco Rubio, pas deklaratave dhe kërcënimeve të reja lidhur me kontrollin e mundshëm të Greenlandit.

