Liderja e opozitës venezueliane dhe fituesja e Çmimit Nobel për Paqen, María Corina Machado, pritet të takohet të enjten me presidentin amerikan Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, njoftoi një zëdhënëse e Shtëpisë së Bardhë.
Takimi vjen në një periudhë të tensionuar politike pas arrestimit të ish-presidentit venezuelan Nicolás Maduro nga forcat amerikane dhe pas debatesh të shumta mbi të ardhmen e vendit. Machado ka fituar Çmimin Nobel për Paqe për angazhimin e saj në promovimin e të drejtave demokratike në Venezuelë dhe përpjekjet për një tranzicion paqësor drejt demokracisë.
Megjithatë, presidenti Trump ka shprehur më parë rezerva për udhëheqjen e Machado-s në procesin e tranzicionit, duke thënë se ajo nuk ka mbështetjen e nevojshme brenda vendit dhe se prioritetet e tij për Venezuelën janë të lidhura më shumë me stabilizimin dhe interesat strategjike të SHBA-së.
Machado ka lavdëruar rolin e SHBA-së në zhvillimet e fundit në Venezuelë dhe, në disa raste, ka lidhur mbështetjen amerikane me shpresat për lirimin e vendit nga sundimi autoritar.
Takimi në Uashington vjen gjithashtu pas një periudhe kur emri i Machado-s është përfshirë në debate rreth rolit të saj në të ardhmen politike të Venezuelës, ndërsa Trump ka përsëritur se qëndrimi i tij ndaj lideres opozitare do të varet nga rezultatet e bisedimeve dhe zhvillimet e mëtejshme.

