Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është nderuar me medaljen më të lartë shtetërore të Emirateve të Bashkuara Arabe, e cila mban emrin e themeluesit të këtij shteti, Sheikh Zayed bin Sultan Al Nahyan.

Ky nderim i është akorduar Ramës nga Presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Mohammed bin Zayed Al Nahyan, në shenjë vlerësimi për marrëdhëniet miqësore dhe bashkëpunimin mes dy vendeve.

Përmes një reagimi publik, Kryeministri Rama u shpreh thellësisht i prekur nga surpriza dhe nderimi i jashtëzakonshëm, duke theksuar se kjo medalje përfaqëson respektin dhe vlerësimin më të madh që i është bërë ndonjëherë një kryeministri shqiptar nga një vend mik.

Ai theksoi se ky vlerësim është një krenari për Shqipërinë dhe një dëshmi e marrëdhënieve të forta mes Tiranës dhe Abu Dhabit, duke shprehur mirënjohje të veçantë për Presidentin Sheikh Mohammed bin Zayed Al Nahyan, të cilin e cilësoi si një mik të madh të shqiptarëve.

Rama shtoi se dekorata e marrë i dedikohet gjithashtu të gjithë qytetarëve shqiptarë që i kanë besuar udhëheqjen dhe përfaqësimin e vendit.

Deklarata e Edi Ramës:

“Jam thellësisht i prekur nga surpriza e paimagjinueshme dhe nderimi i jashtëzakonshëm nga Presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Mohammed bin Zayed Al Nahyan.

Akordimi i medaljes më të lartë të këtij vendi mik, e cila mban emrin e themeluesit të Emirateve të Bashkuara, Sheikh Zayed, përfaqëson respektin dhe vlerësimin më të madh që i është bërë ndonjëherë një kryeministri shqiptar. E mora këtë dekoratë me përulësi, plot krenari për Shqipërinë dhe me mirënjohje të thellë për mikun e madh të shqiptarëve, Lartësinë e Tij Sheikh Mohammed bin Zayed Al Nahyan, si edhe për çdo shqiptar që më ka besuar udhëheqjen dhe përfaqësimin e atdheut tonë të përbashkët.”