Norvegjia ka njoftuar një paketë të re ndihme financiare prej 400 milionë dollarësh për Ukrainën, që do të përdoret menjëherë për të përballuar nevojat urgjente energjitike dhe për të mbajtur funksionimin e shërbimeve kritike.

Lajmi u bë i ditur nga ministri i jashtëm norvegjez, Espen Barth Eide, gjatë një vizite në Kiev, ku theksoi se 200 milionë dollarë nga kjo shumë do të shpenzohen për blerje gazi dhe riparime të menjëhershme të rrjetit të energjisë elektrike, për të siguruar ngrohje dhe furnizim stabil për qytetarët.

“Po njoftojmë një paketë të re mbështetjeje, 400 milionë dollarë, nga të cilat 200 milionë do të shkojnë për nevoja të menjëhershme energjie, blerje gazi dhe riparime, në mënyrë që qytetarët të kenë ngrohje dhe energji elektrike,” tha Eide.

Në konferencën për shtyp, ministri i jashtëm ukrainas, Andrii Sybiha, kërkoi forcimin e sanksioneve ndaj Rusisë, duke theksuar se agresioni nuk ka arritur objektivat e tij strategjikë.

Ndërkohë, ushtria ruse ka nisur një sulm ajror në Kiev, duke shkaktuar zjarre në disa lagje të qytetit. Zjarrëfikësit po përpiqen të shuajnë flakët, ndërsa qytetarët përballen me pasoja të mëdha të sulmeve ndaj infrastrukturës energjitike, veçanërisht gjatë dimrit.