Shefi i NATO-s, Mark Rutte, gjatë një vizite në Kroaci, ka përgëzuar ish-presidentin amerikan, Donald Trump, për nxitjen e shpenzimeve më të larta për mbrojtjen nga anëtarët e aleancës.
Në takimin me kryeministrin kroat, Andrej Plenkoviç, Rutte theksoi se diskutimet mbi bashkëpunimin në Arktik dhe Veriun e Epërm janë thelbësore për të garantuar sigurinë e aleatëve. Ai shtoi se Danimarka po përshpejton investimet në mbrojtje, duke përfshirë kapacitetet unike për të mbrojtur territore strategjike si Groenlanda.
“Ne po punojmë së bashku si një aleancë, duke përfshirë shtatë anëtarët tanë që kufizohen me veriun e largët, për të ndërtuar hapin tjetër të rëndësishëm për sigurinë tonë,” tha Rutte.
Shefi i NATO-s gjithashtu bëri thirrje për vëmendje ndaj sfidave globale, duke përfshirë rritjen e forcave të armatosura të Kinës, kërcënimet nga Koreja e Veriut, si dhe mbrojtjen kundër çdo agresori potencial.
Rutte përfundoi duke theksuar: “Shqetësimi im kryesor është si të qëndrojmë të sigurt kundër rusëve dhe çdo kundërshtari tjetër. Ky është roli ynë, dhe jam i bindur se do t’ia dalim mbanë.”

