Pas vërshimeve të fundit në veri të Kosovës, Policia e Kosovës ka njoftuar se gjendja e sigurisë dhe rendit publik po mbahet nën monitorim të vazhdueshëm.
Si pasojë e përmbytjeve, një urë në fshatin Beluçe të Leposaviqit ka pësuar dëmtime dhe është mbyllur përkohësisht për shkak të rrezikut për sigurinë. Autoritetet komunale dhe përfaqësues të Ministrisë së Infrastrukturës kanë dalë në terren për të vlerësuar situatën.
Gjithashtu, katër familje janë evakuuar nga Mitrovica e Veriut, pasi shtëpitë e tyre janë përmbytur nga vërshimet. Policia ka bërë thirrje për kujdes dhe respektim të masave të sigurisë në zonat e prekura.
Autoritetet monitorojnë situatën dhe do të marrin vendime të mëtejshme për hapjen e urës dhe rikthimin në normalitet.

