Agjencia e Menaxhimit Emergjent (AME) ka njoftuar për vërshime të shumta në disa zona të Kosovës gjatë natës së kaluar dhe mëngjesit të së dielës, teksa me nisjen e reshjeve të borës rreziku nga përmbytjet ka filluar të zbehet.
Raporti i AME-së për periudhën nga ora 22:00 e natës së kaluar deri në orën 08:00 të së dielës tregon se Komuna e Malishevës ka shtyrë nisjen e gjysmëvjetorit të dytë të shkollës për 14 janar, ndërsa drejtoria e Arsimit në Fushë-Kosovë ka vendosur ta shtyjë rinisjen e mësimit deri më 19 janar. Ministria e Arsimit kishte shtyrë fillimin për 12 janar për shkak të dëmeve nga vërshimet.
Në Mitrovicë, niveli i lumenjve është rritur pas reshjeve të shiut dhe autoritetet raportuan rrezikun e daljes nga shtrati të lumit Sitnica. Për parandalimin e përmbytjeve, u ndërmor një operacion emergjent nga AME dhe FSK, duke vendosur rreth 200 metra mur mbrojtës me thasë zalli, përfunduar me sukses në orën 05:30.
Vërshime janë regjistruar gjithashtu në Pejë, ku pesë shtëpi janë rrezikuar, si dhe në rrugët që çojnë në Rugovë dhe Mal të Zi. Në Gjakovë, situata mbetet e qetë, por ka pasur bllokim të rrugës në fshatin Vogovë për shkak të shembjes së dheut. Në Prishtinë, përmbytjet janë regjistruar në rrugën e Qagllavicës dhe në nënkalime për shkak të bllokimeve të kanalizimeve.
Komuna e Fushë-Kosovës ka raportuar përmbytje në fshatrat Lismir, Kuzmin dhe Sllatinë e Madhe, ndërsa në Obiliq janë përmbytur zonat pranë daljes së autostradës në fshatin Mazgit. Zona të tjera me përmbytje përfshijnë Drenasin, Graçanicën, Lipjanin, Podujevën dhe Shtimën. Në Prizren, Suharekë, Malishevë, Rahovec, Dragash dhe Mamushë nuk janë raportuar incidente dhe rrugët janë të kalueshme.
Ditët e fundit, reshjet kanë shkaktuar dëme në pronën private dhe infrastrukturën rrugore në disa zona, duke kërkuar ndërhyrje të menjëhershme nga autoritetet lokale dhe ekipet e emergjencës.

