Pesë persona janë nën hetim nga policia, pasi akuzohen se kanë mashtruar një biznesmen nga Shkodra duke i marrë shumën prej 40 mijë eurosh. Tre prej tyre janë arrestuar, ndërsa dy të tjerë janë shpallur në kërkim.
Sipas policisë së kryeqytetit, të dyshuarit kontaktuan biznesmenin përmes aplikacionit Viber, duke u prezantuar si persona të njohur dhe të afërt me të. Ata i kërkuan të bënte një këmbim parash me 40 mijë euro pranë Aeroportit të Rinasit, por kur biznesmeni arriti aty, paratë i janë marrë me dhunë.
Pas denoncimit të viktimës, oficerët e Hetimit të Krimit Ekonomik dhe Financiar identifikuan dhe lokalizuan personat e përfshirë. Gjatë kontrolleve u zbulua një ambient i pajisur për kultivimin e bimëve narkotike. Në banesë u sekuestruan dhjetëra bimë kanabisi, pajisje për kultivim (llamba dhe ventilatorë), sasi kokaine dhe kanabisi, 4 celularë dhe një automjet tip “Audi Q5”.
Përveç tre të arrestuarve për mashtrim, policia ka vënë në pranga edhe një të ri për mos kallëzim krimi. Hetimet vazhdojnë për identifikimin e personave të shpallur në kërkim.

