Kryeministri Edi Rama ka nisur episodin e radhës të podcastit të tij “Flasim”, duke u ndalur te situata e rëndë e përmbytjeve që kanë prekur vendin prej disa ditësh. Sipas tij, fenomeni nuk është ekskluziv për Shqipërinë, por ka përfshirë një hartë shumë më të gjerë gjeografike, duke përfshirë vende nga Italia në Turqi, ku Stambolli është përballur me pamje apokaliptike.
“Ky është tashmë një realitet i ri klimatik ku jetojmë”, tha Rama, duke theksuar se Shqipëria është më e përgatitur se kurrë për të përballuar emergjencat, falë investimeve masive në infrastrukturë dhe kapacitete reagimi gjatë dekadës së fundit. Ai nënvizoi se më shumë se çerek miliardë euro janë investuar në sisteme kullimi dhe mbrojtjeje, si dhe në strukturën e Emergjencave Civile, duke siguruar skuadra të stërvitura, pajisje bashkëkohore dhe mjete moderne.
Rama shpjegoi se fenomeni i përmbytjeve dhe reshjeve të shumta ka të bëjë me vorbulla atmosferike të krijuara nga përplasja e masave të ajrit të ftohtë nga veriu me ajrin e ngrohtë dhe të lagësht nga Mesdheu, duke shkaktuar temperatura të ulëta, reshje të vazhdueshme dhe lumenj që rriten më shpejt se zakonisht.
Ai theksoi se ndryshimet klimatike nuk nënkuptojnë vetëm vera më të nxehta, por edhe stinë të çrregullta, sisteme atmosferike të ngadalta dhe ngjarje ekstreme si thatësira, zjarre dhe përmbytje.
Një fakt që Rama e konsideron të rëndësishëm është se 13,160 hektarë u përmbytën, një sipërfaqe shumë më e vogël krahasuar me dekadën e kaluar, duke treguar se Shqipëria është sot më e gatshme për situata emergjence.

