Irani ka kaluar një tjetër natë të tensionuar, teksa protestat masive antiqeveritare janë përhapur në rreth 100 qytete të vendit. Sipas pamjeve të shpërndara në rrjetet sociale, në ditën e 15-të të protestave, mijëra qytetarë u mblodhën në sheshin Punak të Teheranit, duke brohoritur slogane kundër regjimit dhe thirrje si “Rroftë shahu”.
Një video që po qarkullon gjerësisht në mediat sociale tregon një grua pa shami, e cila djeg fotografinë e udhëheqësit suprem Ayatollah Ali Khamenei, pamje që janë bërë simbol i revoltës kundër autoriteteve iraniane.
Sipas Agjencisë së Lajmeve të Aktivistëve të të Drejtave të Njeriut në Iran, numri i viktimave nga protestat e ditëve të fundit ka arritur në 490 protestues të vrarë dhe 48 anëtarë të forcave të sigurisë. Raportohet se të paktën shtatë nga viktimat kanë qenë të mitur, ndërsa mbi 10 mijë persona janë arrestuar.
Situata ka ngjallur reagime edhe në arenën ndërkombëtare. Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, shkroi në rrjetet sociale se “Irani po shikon drejt lirisë”, duke shtuar se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të ndihmojnë, ndërsa paralajmëroi sërish mundësinë e një ndërhyrjeje.
Ndërkohë, kryeministri izraelit ka mbledhur këshillin e sigurisë, teksa Izraeli është vënë në gjendje gatishmërie për të mbështetur SHBA-të në rast të një përshkallëzimi ushtarak kundër Iranit.
Reagimi nga Teherani ishte i menjëhershëm. Kryetari i Parlamentit iranian paralajmëroi se, nëse SHBA-të ndërmarrin sulm, Izraeli dhe të gjitha bazat ushtarake amerikane në rajon, përfshirë edhe anijet luftarake, do të konsiderohen objektiva legjitime.
Nga ana tjetër, presidenti iranian Masoud Pezeshkian i ka cilësuar protestuesit si “terroristë”, duke i akuzuar për lidhje me forca të huaja që, sipas tij, synojnë destabilizimin dhe krijimin e kaosit në vend. Për nesër, regjimi iranian ka thirrur një manifestim kundër protestave, në mbështetje të qeverisë.

