Një person ka mbetur i plagosur sot në qytetin e Pejës, si pasojë e të shtënave me armë zjarri. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 09:55 në rrugën “Adem Jashari”.

Sipas zëdhënësit të Policisë për rajonin e Pejës, Driton Rugova, viktima fillimisht u dërgua në Emergjencën e Spitalit të Pejës, por për shkak të natyrës së lëndimeve, është transferuar për trajtim të mëtejshëm në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) – Prishtinë.

“Personi i plagosur është dërguar menjëherë në spital dhe për shkak të natyrës së lëndimeve, është dërguar në QKUK. Personat e dyshuar janë larguar nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur”, tha Rugova.

Policia ka nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve, ndërsa situata po monitorohet nga afër nga forcat e sigurisë.