Vijojnë të mbeten të larta prurjet në kaskadën e Drinit, teksa Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) monitoron me kujdes nivelin e ujit në hidrocentrale. Sipas të dhënave zyrtare, prurjet natyrore në kaskadë arrijnë 2200 metra kub ujë në sekondë, nga të cilat 1500 metra kub ujë përfundojnë vetëm në ujëmbledhësin e Fierzës.
Në HEC-in e Fierzës, niveli i ujit ka arritur 292.4 metra mbi nivelin e detit, vetëm 6 metra larg pikës maksimale të kapacitetit. Në të njëjtën kohë, niveli i ujit në Koman është 172 metra, ndërsa në Vaun e Dejës është 74 metra mbi nivelin e detit.
Shkarkimi fundor nga HEC-i i Vaut të Dejës është 1400 metra kub në sekondë, nga të cilat 900 metra kub janë shkarkim, ndërsa 500 metra kub vijnë nga prodhimi i energjisë. Autoritetet bëjnë të ditur se aktualisht po shkarkohet rreth 60% e prurjeve ujore në kaskadë, një masë kjo që minimizon rrezikun e përmbytjeve në zonën e nën-Shkodrës.
KESH konfirmon se situata është nën monitorim të vazhdueshëm dhe se të gjitha masat për të menaxhuar prurjet dhe për të garantuar sigurinë e banorëve janë në fuqi.

