Google prezanton funksione të reja inteligjente për Gmail, duke e kthyer platformën e email-it në një asistent personal të bazuar në inteligjencë artificiale.
Kompania ka njoftuar një seri përditësimesh që synojnë ta bëjnë menaxhimin e postës elektronike dhe detyrave të përditshme më të lehtë, më të shpejtë dhe më efikas për përdoruesit.
Ndër risitë kryesore është Inbox-i me AI, ku email-et ndahen automatikisht sipas prioritetit, duke veçuar mesazhet urgjente nga ato informuese apo temat që mund të përcillen më vonë. Kjo ndihmon përdoruesit të fokusohen në gjërat më të rëndësishme pa humbur kohë.
Një tjetër risi është kërkimi inteligjent, i cili lejon përdoruesit të gjejnë informacione në email përmes gjuhës natyrale, pa qenë e nevojshme përdorimi i fjalëkyçeve të sakta.
Po ashtu, Gmail tani ofron ndihmë të avancuar në shkrim, përmes veglave si Help Me Write, Suggested Replies dhe Proofread, të cilat sugjerojnë përmirësime në drejtshkrim, stil dhe strukturë të tekstit, duke e bërë komunikimin më profesional dhe më të qartë.
Të gjitha këto funksione janë tashmë të disponueshme falas për të gjithë përdoruesit, ndërsa ata që preferojnë versionin klasik të Gmail mund të zgjedhin të ruajnë pamjen tradicionale të shërbimit.
Ekspertët e teknologjisë e konsiderojnë këtë hap si një zhvillim të rëndësishëm drejt integrimit më të thellë të inteligjencës artificiale në jetën e përditshme të përdoruesve të internetit.

