Një aksident tragjik ajror ka ndodhur në Kolumbi, duke tronditur opinionin publik dhe botën e muzikës latine. Gjashtë persona kanë humbur jetën pasi një aeroplan i vogël u rrëzua menjëherë pas ngritjes nga Aeroporti Paipa, në departamentin Boyacá, konfirmuan autoritetet kolumbiane të aviacionit civil.

Mes viktimave ndodhet edhe këngëtari i njohur kolumbian, Yeison Jiménez, vetëm 34 vjeç, si dhe piloti dhe katër anëtarë të stafit të tij. Sipas informacioneve zyrtare, aeroplani tentoi të ngrihej, por pak sekonda më vonë humbi kontrollin dhe u rrëzua me shpejtësi të lartë në një fushë pranë pistës, duke shpërthyer në flakë.

Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë momentet dramatike të aksidentit, ndërsa dëshmitarët flasin për një defekt të mundshëm teknik, konkretisht në njërin nga dy motorët e avionit. Megjithatë, shkaku i saktë i rrëzimit mbetet ende i paqartë dhe po hetohet nga autoritetet përkatëse.

Vdekja e Yeison Jiménez ka shkaktuar reagime të shumta në Kolumbi dhe më gjerë, ku artisti gëzonte popullaritet të madh falë karrierës së tij të suksesshme në muzikën popullore dhe ranchera. Autoritetet kanë shprehur ngushëllime për familjarët e viktimave, ndërsa hetimet pritet të zbardhin rrethanat e plota të këtij aksidenti fatal.