Sektori i Punëve të Brendshme Tetovë – Zyra e Jashtme për Punë Kriminalistike Gostivar ka paraqitur kallëzim penal kundër S.M. (53) nga fshati Negotinë i Komunës së Vrapçishtit, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “vrasje” sipas nenit 123 të Kodit Penal.
Rasti u zbulua pas raportimit të J.M. (34) nga Gostivari, i cili më 09.12.2025 njoftoi policinë se nëna e tij, H.A. (53) nga fshati Raven, ishte larguar nga shtëpia dhe nuk ishte më e qasshme në telefon. Ai informoi gjithashtu se pamjet e kamerave të sigurisë tregonin se më 07.12.2025 ajo ishte marrë me një automjet të tipit “Fiat”, ndërsa natën mes datave 06 dhe 07 dhjetor, personi S.M. ishte paraqitur në shtëpinë e tij dhe dyshohej se kishte marrë para nga një prej dhomave.
Më 11 dhjetor 2025, në orën 02:15, S.M. u privua nga liria nën dyshimin se e kishte detyruar H.A.-në të largohej me të. Hetimet e mëtejshme, përfshirë kontrollimin e video-incizimeve dhe analizën e listave të thirrjeve, zbuluan se i dyshuari kishte dhënë deklarata të rreme në stacionin policor, ndërsa kontakti i fundit i viktimës ishte pikërisht me S.M. më 07 dhjetor.
Me urdhër të gjykatës, policia kreu bastisje në shtëpinë e të dyshuarit, ku u privua nga liria edhe bashkëshortja e tij, Gj.V. (48). Gjatë një bisede zyrtare në polici, ajo pranoi se bashkëshorti i saj kishte kryer vrasjen me armë zjarri dhe tregoi lokacionin ku trupi i viktimës ishte varrosur.
Policia, në prani të prokurorit publik, kreu këqyrjen e vendit të ngjarjes në fshatin Negotinë, ku u gjet trupi i pajetë i H.A. Me urdhër të prokurorit, trupi u dërgua për autopsi për procedura të mëtejshme hetimore. Gostivari Sot

