Mbahet Manifestimi Qendror kushtuar Ditës së Bedrit

Gotstivari Sot
By Gotstivari Sot 2 Maj, 2024 20:09

Mbahet Manifestimi Qendror kushtuar Ditës së Bedrit

Në mënyrë tradicionale, në organizim të Muftinisë së Gostivarit, në prezencë të hoxhallarëve të Xhamive të Çegranit, Këshillit të Xhamive dhe xhemaatit masovik, më datë 27 mars 2024/ 17 Ramazan 1445 hixhri, u mbajt Manifestimi me rastin e Ditës së Bedrit.

Fjalë hyrëse mbajti Muftiu i Muftinisë së BFI-Gostivar, H. Sabahudin ef. Zendeli, i cili pasi përshëndeti nëpunësit fetarë, xhematin, tha se në këtë ditë e zgjodhëm Çegranin, për të përkujtuar ndodhinë e Bedrit.

Më pas, ligjëratë pati koordinatori i SHMI Medreseja ISA BEU – Paralelja e Vajzave në Gostivar, Prof. Afrim Alija.

“Të nderuar vëllezër, ne sot jemi tubuar të shënojmë një datë shumë të rëndësishme të kalendarit islam. Qëlllimi ynë nuk është thjeshtë të festojmë fitoren e luftës së Bedrit, por jemi tubuar të kujtojmë ngadhënjimin e të vërtetës ndaj të pavërtetës, të besimit ndaj mosbesimit, ngadhënjimin e grupit të vogël që ishte nën përkujdesin e Allahut xh.sh. Kjo ishte një ditë, në të cilën u bë një kthesë e madhe në historinë njerëzore, ishte dita ku filloi e mbara e muslimanëve, momenti kur Muhammedi a.s. e luti Zotin për ndihmë ndaj muslimanëve”, potencoi ndër të tjera Prof. Afrim Alija në fjalën e tij.

“Kujtim i Bedrit nuk duhet të harrohet dhe t’i mbetet analeve të historisë, por mësimet e Bedrit duhet t’i kemi pjesë të jetës tonë, sepse edhe pse Bedri ndodhi para shumë shekujve, mësimet e Bedrit duhet t’i analizojmë dhe t’i vëndojmë në praktikën tonë të përditshme, në veçanti me akreditimin e Medresesë që ndodhi ditën e djeshme me vendim të Qeverisë, për çka në rend të parë falënderojmë bartësin e gjithë këtij procesi Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetahu dhe faktorët tjerë”, tha Prof. Afrim Alija.

Në fund, të pranishmit i përshëndeti imami i kësaj xhamie, Mr. Xhevdet ef. Neziri, ku shprehu kënaqësinë e tij, të kolegëve të tij dhe xhemaatit që pikërisht sot Muftinia zgjodhi këtë xhami dhe këtë vend, në shënimin e Ditës së Bedrit.

Në moderim të referentit Hfz. Jusuf ef. Xheladinit, fjalimit i parapriu një program fetar me ilahije të përgaditur enkas për këtë ditë nga Kori i Muftinisë së Gostivarit.

Manifestimi me rastin e Ditës së Bedrit u mbajt te Xhamia e Vjetër e fshatit Çegran, para faljes së namazit të drekës.

Gotstivari Sot
By Gotstivari Sot 2 Maj, 2024 20:09