Gostivari Sot

mos humbisni asnjë lajm

Shtëpia e Boletinit, përkrenarja e Gostivarit

Shtëpia e Daut Boletinit e cila njihet edhe si shtëpia e Beut, është një ndër shtëpitë më të vjetra në Gostivar. Mendohet se është ndërtuar ne shekullin e XVII nga beu i asaj kohe në qytet, e cila karakterizohet edhe si shtëpia e të pasurve të kohës, shkruan Gostivari Sot 

Nga vet pamja e jashtme, objekti tërheq vëmendjen edhe të të gjithë vizitorëve të jashtëm që vizitojnë
Gostivarin. Objekti në të kaluarën ka qenë kompleks me dy shtëpi të ndara, “selamllëkun” (shtëpi për burra) e cila me pasazh ishte lidhur me “haremllëkun” dhe (shtëpi për gra ).

Selamllëku ka qenë i vendosur me një vijë me rrugën dhe me oborr të vogël para saj. Anësh, në pjesën lindore ka qenë i ngjitur me një objekt tjetër, kurse në anën perëndimore qëndron pasazhi nga i cili hyhet në oborrin е brendshëm.

Hyrja për në oborr të haremllëkut bëhet nga një pasazh shtesë. Objekti ka vetëm një fasadë mbresëlënëse, për të tjerat mund të thuhet se janë të “verbra”.

Me intervenimet e kryera viteve të fundit, shmangen rreziqet nga dëmtimi dhe rrënimi i këtij objekti me vlerë të lartë historike dhe kulturore.

Kjo shtëpi ka qenë kompleks i përbërë nga haremi dhe selamllëku, një karakteristikë për Behun e asaj kohe. Shtëpia ka qenë e dedikuar për  njerëzit më të pasur.

Në fasadën veriore ka dy dritare në etazhin e dytë dhe një në përdhesen. Shtëpia është e organizuar me përdhese, katëshen dhe kullën e vrojtimit.

Në fasadën kryesore paraqitet porta me dy krahë, thjeshtë të dekoruara me harqe (qemerë) gjysmërrethore të cilat janë të pranishme në portat dhe dritaret e fasadës. Porta në këndin e majtë është më e madhe dhe shërben si hyrje për në pasazh, kurse në këndin e djathtë është më e vogël dhe hyhet në
shtëpi.

Nëpërmjet tri shkallëve hyhet në tremen (hajatin) e mbyllur. Tremja (hajati) është hapësirë komunikimi, në të majtën e saj është dhoma e mysafirëve (halveti), në të djathtë janë shkallët nëpërmjet së cilave lidhet kati.

Dhoma e pritjes (halveti) është shfrytëzuar për pranimin e mysafirëve në periudhën dimërore dhe qëndron në pjesën e përparme të shtëpisë, në fasadën kryesore. Në etazh arrijmë nëpërmjet shkallëve të drurit, parmaku i shkallëve është prej druri, të punuara në formë të thjeshtë dhe të vendosura në formë vertikale, me kombinim të kthesave dhe lëvizje të lakuar. Në kat është çardaku i mbyllur, i cili shërben për pushim dhe komunikim. Prej çardakut hyhet në dy dhoma të cilat janë vendosur në pjesën e përparme të shtëpisë në fasadën kryesore. Funksionimi i këtyre dhomave për pritje dhe ndenje të mysafirëve, imponon ekzistimin e minderit dhe “Qyshk-un” i cili erkerisht është i formësuar,pjesërisht i mbyllur me tre mure të jashtme në të cilat janë vendosur dritaret.Minderi qëndron pranë murit me dritare ”Qyshkut”,i cili paraqet pjesën më të ngritur të dyshemesë shërben për tu ulur dhe rrallë për të fjetur gjatë netëve të verës, shkruan Gostivari Sot

Theksimi në fasadë i këtyre dhomave është kryer me erkera (ballkone të mbyllura), të cilat njëkohësisht e zmadhojnë sipërfaqen e dhomave. Me vendosjen e dritareve në muret anësore të tyre, ballkonet e mbyllura ofrojnë mundësi për rritjen e horizontit të pamjes. Dritaret janë vendosur në ritëm nga tre në secilën dhomë. Dritaret janë dypalëshe, nga jashtë janë në formë të drejtkëndëshit të përfunduara me formë të gjysmërrethit, kurse nga brenda janë me dy krahë me xham dekorativ (Vitrazh). Ndriçimi bëhet nga një dritare e vendosur në anën veriore të murit e cila ka pamje kah oborri.

Tavanet janë të rrafshëta, prej dërrasave, të punuara në mënyrë të thjeshtë me borde të profilizuara, në mes paraqitet dekorimi me performancë të rozetës. Prej çardakut të mbyllur, nëpërmjet shkallëve të ngushta prej druri arrihet në korridorin e ngushtë i cili të çon në një dhomë të vogël. Qëllimi i kësaj dhome ndoshta ka qenë e paramenduar si vend vrojtim.

Vend Vrojtimi (belvedere) është e vendosur mbi dy dhomat e katëshes e tërhequr jashtë fasadës së përparme jugperëndimore. Si kurorë e të gjithë ndërtimit është çatia e Belvederes, e cila është dyanësore me strehë të gjerë dhe të hedhur, kurse në pjesën ballore të fasadës është formuar tamburaja. Pilastrat të vendosura vertikalisht imitojnë shtyllën klasike. Shtyllat përfundojnë me kapitela të stilizuara, në të cilat
mbështeten kurorat e kulmit. Muri i fasadës është i përpunuar me elemente dekorative prej
llaçi me profilizime të ndryshme.

Në tambur është punuar një dekorim me mbishkrim arab, në formë rrethore me ngjyra pastele. Gjatë ndërtimit të këtij objekti janë shfrytëzuar materiale tradicionale të asaj kohe, që do të thotë përdhesja është prej guri, katëshja me konstruksion të ndërlidhur të drurit, konstruksioni ndërmjet kateve është realizuar prej trarëve të drurit,të cilët nga ana e sipërme marrin veshje me dërrasa për sipërfaqen e dyshemesë dhe tavanit.

Konstruksioni i kulmit është me dërrasa, në dy ramje dhe me pajisje shumëkëndëshe. Kulla e vrojtimit ka kulm të veçantë të mbuluar me qeramidhe. Gostivari Sot 

TË FUNDIT