Gostivari Sot

mos humbisni asnjë lajm

Këshilla për izolimin, nga një astronaut në pension

Në një kohë kur koronavirusi ka bërë që thuajse një e treta e popullatës së globit të vendoset në izolim, kush më mirë se sa një ekspert i qëndrimit në izolim, një astronaut, mund të japë këshilla të vyera.

Tashmë në pension, astronauti Chris Hadfield, jep disa këshilla nga trajnimi i tij 20 vjeçar dhe nga izolimi pesë mujor si komandant në bordin e stacionit hapësinor ndërkombëtar. Disa prej këtyre këshillave, ai i ka shkruar edhe në një libër të tij, guida e një astronauti për jetën në tokë.

Aktiv në median sociale, Hadfield, ka publikuar edhe një video të shkurtër në youtube, me këshilla ndër të cilat, ‘përcaktojini vetes një mision” dhe qëndroni të qetë duke u bërë ekspert i asaj që ty të shkakton frikë.

“Unë kam qenë në izolim shumë herë. Kam jetuar në fund të oqeanit për pak kohë, në një habitat të vogël. Kam jetuar në hapësirë tre herë. Por, periudha më e gjatë ishte ajo e komandimit të stacionit hapësinor ndërkombëtar. Unë qëndrova në hapësirë, për pesë muaj”.

Dhe në këtë kohë pandemie, ai mendon se është mirë ti japë njerëzve disa sugjerime…

“Qëndrimi në izolim, mund të ngjallë frikë. Sepse nuk e di se çfarë të pret. Por, kur unë isha i frikësuar, gërmoja në rreziqet e momentit. Bëhesha një ekspert i gjërave që më trembnin. Dhe kjo më ndihmonte të përballesha me frikën”.

Nga astronautët deri tek personeli i nëndetëseve, të gjithë sugjerojnë disa mënyra praktike për të rritur mirëqenien dhe për të mbajtur atmosferën pozitive të pjesëtarëve të tjerë të familjes në javët e izolimit në shtëpi. Provoni gjëra të reja, dëgjoni muzikë, shkruani ditar, bëni foto, filloni të pikturoni etj. Kështu, izolimi dhe përpjekjet për distancim social, do të kishin më shumë sukses.

TË FUNDIT