Ekspozita kolektive “20 Vjet Draudacum” në Galerinë e Arteve “Vilson Kilica”- Fier

Gostivari Sot
By Gostivari Sot 18 Shkurt, 2020 13:25

Ekspozita kolektive “20 Vjet Draudacum” në Galerinë e Arteve “Vilson Kilica”- Fier

Ме pjesëmarrjen në ekspozitën në Fier, Shoqata “Draudacum” e vazhdon traditën e saj në drejtim të prezantimit të vlerave të artit pamor. Njëkohësisht, shoqata feston 20 vjetorin e ekzistimit, që paraqet një rast të rrallë në këto hapësira kulturore.

Me veprimtarinë e vet përgjatë dy dekadave, kanë zhvilluar dhe kultivuar artin pamor dhe kanë arritur të gëzojnë renome të jashtëzakonshme në hapësirat kulturore. Shoqata “Draudacum” mban epitetin e një ndër shoqatave më aktive dhe më të fuqishme të artit pamor në R. e Maqedonisë së Veriut, dhe jo vetëm.

“Në këtë ekspozitë prezantohen veprat nga koleksioni i shoqatës, ku kemi bërë një përzgjedhje të veprave të artistëve të dëshmuar, veteranë të artit pamor, artistë me relevancë artistike vendore dhe botërore, si dhe vepra të artistëve të rinj të cilët e fillojnë rrugëtimin e tyre në botën e artit.

Të pranishme janë veprat artistike me prejardhje nga lëmenj të ndryshëm të artit pamor: pikturë, grafikë, skulpturë, fotografi artistike, dizajn grafik etj. por nuk mungojnë as vepra me karakter eksperimental. Jemi përkujdesur që në këtë ekspozitë të ketë begati të filozofive të ndryshme artistike dhe mesazhe të llojllojshme estetike, vepra që fillojnë nga realja, asociativja dhe deri tek abstraksioni.

Në këtë ekspozitë kemi punime me vulë personale artistike, vepra me kreativitet të theksuar artistik, eksperimente, kërkime etj. Ndërsa veprat e artistëve të rinj, dëshmojnë se ardhmëria e artit pamor shqiptar, është në rrugë të duhur.

Shoqata e Artistëve Figurativë “Draudacum” do të vazhdojë bashkëpunimin me Galerinë e Fierit si një institucion që synon ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kombëtare në fushën e arteve pamore tashmë mbi katër dekada, por dhe me institucione tjera kulturore në Shqipëri me mision të ngjashëm”, njoftojnë nga Draodakum.

Gostivari Sot
By Gostivari Sot 18 Shkurt, 2020 13:25