Qeveria teknike pa 1 ministër

Gostivari Sot
By Gostivari Sot 17 Shkurt, 2020 23:14

Qeveria teknike pa 1 ministër

Qeveria teknike mbeti pa ministër për punë dhe politikë sociale nga opozita, gjë që e parasheh Marrëveshja e Përzhinës. VMRO-DPMNE deri në momentin e fundit nuk propozoi kandidat tjetër për ministër teknik pas shkarkimit të Rashella Mizrahit, kështu që kontrollin ndaj kësaj ministrie gjatë zgjedhjeve nuk do ta ketë opozita. Dimçe Arsovski nga VMRO-DPMNE-ja nuk shpjegoi se pse nuk kanë propozuar kandidat tjetër, por akuzoi se qëllimi i LSDM-së është që ta pengojë punën e ministrave teknikë që i propozon opozita.

“Qëllimet ishin që të pengohet puna e ministrave teknikë dhe kjo gjë vazhdoi deri në momentin e shkarkimit të ministres Rashella Mizrahi. Është i qartë qëllimi që të pengohet funksionimi i ministrave teknikë. Probleme të këtilla ka edhe ministri i brendshëm Naqe Çulev i cili është profesionist, ai nuk vjen në funksion si militant partiak, kështu që nuk do të kishte kuptim që të propozohet ndonjë tjetër ministër tjetër për shkak se do të ndodhte e njëjta gjë që i ndodhi ministres Rashella Mizrahi”, deklaroi Arsovski.

Nga LSDM-ja thanë se disa herë kanë kërkuar që VMRO-DPMNE të dorëzojë propozim të ri, por se ata nuk e kanë bërë këtë gjë.

“VMRO-DPMNE kishin mundësi, i thirri edhe kryeministri Oliver Spasovski në pres konferencë, i thirrëm si parti që të mos e përdorin si alibi duke thënë se nuk kanë asnjë kontroll në Ministrinë e punës dhe politikës sociale. U dhamë hapësirë që të dorëzojnë propozim për ministër për punë dhe politikë sociale, pamë se këtë gjë nuk e bënë”, theksoi Kostadinov.

Edhe pse kishte paralajmërime se me Ministrinë për punë dhe politikë sociale do të udhëheqë zëvendës ministre shtesë, Sanella Shkrielj, mundësitë ligjore nuk e parashohin këtë dhe thuhet se detyrat e ministrit mund t’i marrë vetëm zëvendësministri, në këtë rast ky është zëvendësi aktual Gjonul Bajraktar.

Gostivari Sot
By Gostivari Sot 17 Shkurt, 2020 23:14