Filipçe paralajmëron aparat për rezonancë magnetike për Spitalin e Gostivarit

Ministria e Shëndetësisë nga buxheti i saj zhvillimor ka paralajmëruar për Spitalin e Përgjithshëm “Ferid Murad” të Gostivarit, aparat për rezonancë magnetike. Procedura e prokurimit për pajisjen do të fillojë brenda dy javësh.

Ky premtim ka ardhur nga vetë ministri i shëndetësisë Venko Filipçe ditën e djeshme gjatë séancës qeveritare të mbajtur në qytetin e Ohrit.

Për pajisjen në fjalë është informuar edhe udhëheqësia e Spitalit të Gostivarit.

“Kemi marrë një premtim nga ministri Filiçe për aparat për rezonancë magnetike për spitalin tonë. Shpresojmë sa më parë të vijë te ne kjo pajisje më se e nevojshme. Ne si Spital do të duhet të përgatisim hapësirën se ku do të vendoset ky aparat”, deklaroi drejtori I Spitalit të Gostivarit, Jakup Jakupi për Tv Globi.

Pos Gostivarit, aparaturë të tillë, ministri Filipçe ka premtuar edhe për Prilepin dhe për qytetin e Ohrit.

Në lidhje me përmirësimin e mungesës së specialistëve në pediatri dhe gjinekologë në të gjithë vendin, Filipçe njoftoi se zgjidhja e problemit do të kërkohet përmes një modeli me përvojë të funksionimit të kujdesit parësor shëndetësor si në Republikën e Sllovenisë, përmes qarkullimit të mjekëve nga spitalet dhe shtëpitë e shëndetit.