Pasiguri nga ushqimet, AUV: Kujdes dyqanet e fast-foodeve!

Gostivari Sot
By Gostivari Sot 9 Shkurt, 2020 23:14

Pasiguri nga ushqimet, AUV: Kujdes dyqanet e fast-foodeve!

Pasiguria për ushqimin që konsumojmë, që lidhet me kualitetin, higjienën, kushtet e përgatitjes apo frika nga helmimet gjithmonë na shoqërojnë kur vendosim t’i hamë vaktet jashtë. Megjithatë, inspektorët e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë pas mbikëqyrjeve që kanë për obligim të bëjnë duhet të ndërmarrin masa adekuate për operatorët ushqimorë që nuk i përmbushin standardet.

Nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë e RMV-së theksojnë se gjatë 2019 nuk janë shqiptuar as dënime në para dhe as janë ngritur procedura penale për parregullësitë e konstatuara nëpër dyqanet e fast-foodeve.

“Për parregullsitë  e konstatuara në dyqanet e Fast-food-it, vitin e kaluar janë shqiptuar 79 vendime për mënjanimin e këtyre parregullsive dhe janë zbatuar 110 edukime të operatorëve me ushqim. Te kjo kategori e operatorëve me ushqim në vitin 2019, nuk janë shqiptuar dënime në para, as nuk janë dorëzuar kërkesa për ngritjen e procedurave penale.” –thonë nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë.

Shërbimet e inspektimit të Agjencisë së ushqimit dhe veterinarisë në vitin 2019 kanë kryer gjithsejt 17 986 kontrolle te operatorët e ushqimit me prejardhje joshtazore, të cilat siç thonë nga kjo agjenci, nuk e kanë përmbushut HACCP (Analiza e rrezikut dhe pikat e kontrollit kritik) standardin.

‘Për mospërputhjet e konstatuara, pjesa më e madhe ka të bëjë me mbikqyrjen jo të rregulltë të Praktikës higjienike dhe HACCP standardit, kontrolle të pakryera shëndetësore të të punësuarve, si dhe ruajtje dhe deponim i papërshtatshëm i ushqimit, mure të dëmtuara, higjienë në nivel jo të kënaqshëm në objekte dhe mungesa të tjera më të vogla.’ –shprehen nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë.

Visar Sadiki, një nga menaxherët e një restoranti në Tetovë deklaron se vazhdimisht inspektorët e Agjencisë për  Ushqim dhe Veterinari bëjnë mbikëqyrje në restoran për të vërtetuar rregullësinë e të njëjtit.

‘Në fillim kanë kërkuar dokumentacionet, a është regjistruar firma dhe a jemi të regjistruar në Agjencionin për Ushqim dhe Veterinari. Kanë kontrolluar kryesisht tek pjesa e ushqimit, në kuzhinë, tek pjesa e picerisë dhe në pjesën e banakut. Nuk kemi pasur vërejtje si restorant, ndërkohë që ne, edhe gjithë të tjerët të përkushtohemi që ushqimi, pjesa e servimit apo pjesët e tjera të jenë sa më mirë që mos kemi ndonjë ankesë.’ – vlerëson Visar sadiki, menaxher i një restoranti, Tetovë.

Inspektorët e ushqimit në Agjencinë për ushqim dhe veterinari në vitin 2019, kanë kryer 3743 kontrolle edhe në restorante, kuzhina dhe ketering shërbime, bujtina, punëtori për ëmbëlsira, akullore, si dhe kompani të klasifikuara në kategorinë e operatorëve me ushqim me rrezik të lartë. Në objektet me rrezik të ulët, në të cilat përveç dyqanet e fast-food-it, janë klasifikuar edhe burektoret, piceritë, bufetë, punëtoritë për prodhimin e produketeve të ëmbëlsirave, gjatë vitit të kaluar janë kryer 1809 kontrolle. /Blerona Jakupi/KlanMacedonia

Gostivari Sot
By Gostivari Sot 9 Shkurt, 2020 23:14