Taravari: Për inventer-klima qeveria i ndanë Gostivarit zero denarë

Gostivari Sot
By Gostivari Sot 31 Janar, 2020 17:15

Taravari: Për inventer-klima qeveria i ndanë Gostivarit zero denarë

“Marrë parasysh numrin e banorëve dhe problemin e theksuar me ndotjne e ajrit, ku ndër rajonet më të ndotura në vendin tonë rezulton edhe Pollgu, qeveria për ndërrim të trupave ngrohëse të derivateve ndotëse fosile, ndanë para për inverter klima vetëm për qytetin e Tetovës. Këtij qyteti iu ndanë 93 milion denarë për këto paisje, kurse Gostivarit nuk i ndahet as edhe një qindarkë”, reagoi kreu i komunës së Gostivarit, Arben Taravari.

Sipas tij, Komuna e Gostivarit nuk qendroi duarkryq për zgjidhjen e këtij problemi, dhe nga Buxheti komunal vitin e kaluar ndau 20 mijë euro për inventer klima dhe po aq edhe për këtë vit. Sipas reagimit, nga fillimi i mandatit të Arben Taravarit e deri më sot, në Komunën e Gostivarit janë ndërmarrë hapa më serioze për zgjidhjen e kësaj problematike. U vendosën dy stacione matëse për cilësinë e ajrit, u mbajtën disa konferenca me ekspertë dhe OJQ, ku u hodhën hapat e parë se si të luftohet ndotja, ndërsa së fundmi u sollë edhe një Strategji mbi ndotjen dhe u ndanë rreth 60 mijë euro për këtë dedikim, para që parashihen vetëm për këtë vit. “Jemi komunë e vetme urbane opozitare dhe qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut nuk është hera e parë që ndaj Gostivarit sillet si njerkë. Na janë marrë disa herë kompetencat në arsim, ka pasur tentime të merren kompetencat edhe në urbanizëm. Në qytete tjera vazhdimisht ndëgjojmë për investime dhe projekte qeveritare, në Gostivar ka pasur vetëm dy të tillë, një Fitnes Zonë dhe një Fushë patinazhi. Për mbi dy vite, dy projekte. Kaq kanë qenë investimet e qeverisë në qytetin e Gostivarit”, thonë nga Komuna e Gostivarit.

Nga aty shtojnë se kanë pritur edhe kësaj radhe të jenë të diskriminuar. “Ndotja e ajrit ambiental është problem nacional dhe nuk mund të ndihmohen vetëm disa qytete, aq më pak kur në Pollog ka vetëm dy qytete dhe njëri ndihmohet e tjetri jo”, thuhet në reagimin e Komunës së Gostivarit. Për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve të vetë, Komuna e Gostivarit thotë se do të jepet maksimumi pavarësisht ndihmës ose jo të Qeverisë. Diskriminimit, thonë ata, do tij vijë fundi pas 12 Prillit, kur në krye të Qeverisë do të vijnë njerëz me dinjitet. Ndryshe, për inverter-klima në amvisëri në katër komuna, Shkup, Tetovë, Kërçovë dhe Manastir janë dedikuar 620 milionë denarë.

Gostivari Sot
By Gostivari Sot 31 Janar, 2020 17:15