Ambasadorja amerikane porosi për ata që kundërshtojnë Marrëveshjen e Prespës

Gostivari Sot
By Gostivari Sot 31 Janar, 2020 17:04

Ambasadorja amerikane porosi për ata që kundërshtojnë Marrëveshjen e Prespës

Ambasadorja e SHBA-së, Kejt Bërns mbron Marrëveshjen e Prespës kundër paralajmërimeve të VMRO DPMNE-së se do ta rishikojë, respektivisht shfuqizojë të njëjtën nëse do të vjen në pushtet pas zgjedhjeve të prillit. Bërns thotë se marrëveshja nuk ka zgjidhur vetëm çështjen me Greqinë për emrin, por ka vënë themelet e të ardhmes euro-atlantike të vendit. Diplomatja amerikane thekson se është e domosdoshme që qytetarët t’i kenë parasysh dobitë që marrëveshja i solli vendit.

“Nuk ka të bëjë vetëm me emrin, por me krijimin e mundësive të njerëzve të vendit dhe rajonit. Rëndësia e Marrëveshjes së Prespës është se konfirmon që vendet duhet të bëjnë kompromise të vështira dhe mbi to të ndërtojnë të ardhme të ndritur. Ajo që më shqetëson është përpjekja për t’i hutuar njerëzit rreth ndikimit të Prespës për vendin, për dobitë në krijimin e mundësive të reja, thellimin e bashkëpunimit rajonal, thithjen e investimeve të huaja dhe krijimin e të ardhmes pozitive. Kur dëgjoj të flitet për ndryshimin, shfuqizimin e Marrëveshjes, mendoj se njerëzit duhet të dinë dhe të mendojnë për dobitë që vijnë nga e njëjta”, tha ambasadorja amerikane. Sipas saj, rishikimi eventual i marrëveshjes do të ishte defokusim nga e ardhmja.

“Maqedonia e Veriut do të anëtarësohet në NATO si anëtare e barabartë dhe një ditë do të bëhet anëtare dhe partnere e BE-së. Ky është mesazh i rëndësishëm. Dhe kur thoni se nuk dëshironi të pranoni të arriturat e Marrëveshjes së Prespës përçoni një mesazh krejtësisht ndryshe. Kur flasim për të ardhmen, duhet të fokusohemi në të ardhmen”, deklaroi ambasadorja Kejt Bërns./Alsat-M

Gostivari Sot
By Gostivari Sot 31 Janar, 2020 17:04